NANË! PSE NUK MA DHE NJË TRUP TJETËR?
(Jelinek / Schlingensief / Luxemburg)

Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të artit Nën braza të kohës në Kosovë do të mbahët nga data 5 deri më 11 korrik 2021 në Stadiumin “Shahin Haxhiislami” të Pejës. Ky edicion do të fokusohet në tri pika qendrore: Elfriede Jelinek, Christoph Schlingensief dhe Rosa Luxemburg, të cilat nën titullin Nanë! Pse nuk ma dhe një trup tjetër? do të prezantohet më 10. korrik 2021 nga ora 20h në stadiumin e futbollit në Pejë.

1.) Elfriede Jelinek: Një dramë sporti
Bartësja e Çmimit Nobel për letërsi, më 1998 botoi tekstin teatror Një dramë sporti.  Për ketë edicion është adaptuar një version i veçantë – enkas për Pejën, një draft që është përkthyer tashmë në gjuhën shqipe. Jelinek tematizon sportin si një formë moderne të luftës, gjithashtu ajo qartëson facetet shumëplanëshe të manifestimit të dhunës, pushtetit dhe histerisë së masave.
“Gjithë këta njerëz kanë varë kravatat në kunj, për të veshur uniforma dhe fanella sportive. Sportistët janë si ushtarët, të gjithë nxjerrin më të mirën për një trikot” (Elfriede Jelinek, Një dramë sporti)

2.) Christoph Schlingensief: Qyteti i tendave 3000
Regjisori eksperimental gjerman Christoph Schlingensief më 1999 kishte filmuar kampin e refugjatëve kosovar në Bllacë (tani Maqedoni e Veriut). Mandej në Volksbühne – Berlin vuri në skenë një instalacion performativ me titull “Deutschland-Suche”, duke vendosur një kamp tendash në prapaskenë; e duke tematizuar e risjellë situatën e refugjatëve në kujtesë. Për `qytetin tonë të tendave` në stadium, do të ftohen studentë të arkitekturës dhe skenografisë, për të modeluar një qytet eksperimental tendash, që mund të shërbejë si qytet performancash, vend projeksionesh mediale, e gjithashtu edhe si peizazh kujtese.
“Çuni ka idhuj. Por sikur asaj tende të stërmadhe t`ia hedh një çarçaf përmbi, që të mos i shohë më. Ai duhet të më sheh veç mua! Tani ai, do vë një mbulesë mbi ata trupa të pajetë, që kur të kthehem nga pazari të mos i shoh më. Po, ç`mund të ketë ndodhur ndërkohë?”
(Elfriede Jelinek, Një dramë sporti)  

3.) Rosa Luxemburg: Letra nga burgu
Viti 2021 shënon 150 vjetorin e lindjes së revolucionares gjermano-polake. Në Letra nga burgu, ajo përshkruan situatën e saj ngjashëm si të “një kafshe të egër në kopshtin zoologjik”. Për të, zogjtë ishin “auditori i vetëm” aty. Për Luxemburg nuk mund të ketë emancipim të njeriut pa emancipim të natyrës, pa solidaritet me trupa të përvuajtur, dhe pa tejkalimin e shfrytëzimit të njeriut dhe të kafshëve. “Nga qelia, jam e padukshme gjithandej, e mbërthyer prej mijëra fijeve të imëta, kreatura të mëdha e të vogla. Krahas letrave të Luxemburg-ut, do të lexohen / paraqiten letra të tjera burgu, të përzgjedhura nga vende të ndryshme të botës, që kanë të bëjnë me “retë, zogjtë dhe lotët e njeriut”.
“Troftat përmes braçëve përshkojnë ura lart e poshtë. Nëpër trafiqe të huaja, ato pothuajse nuk vërehen fare, e ngaqë turizmi përbëhet nga vëmendja, këtu s`ka mbetë gjë për t`u parë”.
(Elfriede Jelinek, Një dramë sporti)

LOKACIONI I FESTIVALIT:
Stadiumi i futbollit Shahin Haxhiislami në Pejë gjendet në afërsi të hotelit ku akomodohen mysafirët e festivalit (10 min këmbë), i cili në vitet e ardhshme do të  renovohet në një arenë moderne sportive.
Dy ndeshjet gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të Futbollit 2021, që do të zhvillohen përgjatë kohës së provave, do të transmetohen gjithashtu në stadium, duke përfshi gjithashtu edhe finalen e 11 korrikut, një ditë pas prezantimit publik. Po ashtu, një pjesë e provave dhe prezantimit të Një dramë sporti, do të mund të ndërlidhet  me “trasmetime të drejtëpërdrejta mediale-reale të Kampionatit Evropian të Futbollit” në stadium, me ç`rast një pjesë e publikut do të mund të njoftohet paraprakisht për planin e provave.  

COVID-19:
Për shkak të madhësisë së stadiumit në Pejë dhe mundësive të hapësirave të hapura publike, është e mundur që ne në çdo rrethanë të përshtatemi ndaj kushteve të rekomanduara me Covid-19 dhe provat e prezantimi të realizohen me distancë të konsiderueshme sociale, duke iu adaptuar masave të duhura të sigurisë.

ORGANIZIMI:
Festivali vazhdon tutje bashkëpunimin me universitete të ndryshme nga Evropa Qendrore dhe Ballkani.  Rreth 30 studentë nga universitete të ndryshme gjermano-austriake do të udhëtojnë për në Kosovë. Bashkëpunimi i suksesshëm me Universitetin UBT (XK) do vazhdojë tutje, ku për ketë edicion, UBT ka vënë tashmë në dispozicion rrjetin e vet universitar në Ballkan duke ftuar dhjetëra studentë e profesorë në festival. Një numër prej 60 studentësh dhe 60 artistësh nga rreth 20 shtete të ndryshme do të marrin pjesë në këtë akademi verore. Përveç fakulteteve në Kosovë të fushave të artit, arkitekturës, dizajnit dhe mediave, do të marrin pjesë edhe shumë performues, muzikantë, artistë të arteve pamore, arkitektë, regjisorë filmi dhe shkencëtarë në qytetin e Pejës dhe zonën përreth.

PROGRAMI PARAPRAK I JAVËS SË FESTIVALIT:

E shtunë, 3.7.2021:
Ora 16h: Udhëtim me autobus nga Vjena (HBF) për në Pejë (Hotel Camp Karagaq).

E dielë, 4.7.2021:
Check-in në Hotel Camp Karagaq, Pejë.
Kohë e lirë deri në orën 19h në mbrëmje.
Pastaj, bashkëbisedim / tryezë e përbashkët për projekte në ditën në vijim.

E hënë, 5.7.2021 – E premte, 9.7.2021:
Procesi i provave në stadiumin e futbollit në Pejë. Hotel Camp Karagaq gjendet në qendër të Pejës afër parkut „Karagaq“. Një pishinë është në afërsi të kampit. Në varësi të situatës me Covid-19, programi javor mund të plotësohet edhe me udhëtime të përbashkëta me autobus për në Gjakovë, Prizren e vende tjera të Kosovës.

E Shtunë, 10.7.2021:
Nga ora 20h:
Prezantimi i aksioneve në stadium.

E diela, 11.7.2021:
Ora 11h: Check-out nga Camp Karagaq.
Udhëtimi nga ora 17h për në Vjenë.

DITËT E FESTIVALIT: 5. – 11. korrik 2021.
– Prezantimi i acioneve: 10. korrik 2021, nga ora 20h
– Vendi i organizimit: Stadiumi i futbollit në Pejë
– Organizatorë: Organizata austriake transit në bashkëpunim me stralli – Kosovë.  
www.stralli.org
Personat përgjegjës:
Andreas Pronegg (AUT), Katarina Csanyiova (SK), Alban Beqiraj (XK), Rajmonda Ahmetaj (XK).

Për organizatat transit dhe stralli:
Andreas Pronegg (andreas.pronegg@gmx.at)
Vjenë, më 12.11.2020